Në orën 17:00 është luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndeshja Vllaznia-Bylis . Përballja u zhvillua në kuadër të javës së 6-të të Superiores 2024-25 dhe përfundoi me rezultatin 2-0.
“Shkodra Sport” përveç raportimit në kohë reale të duelit, sjell për lexuesit e saj edhe disa “pikante” të duelit të sotëm.

-Prania e tifozëve nuk është edhe aq e shumtë në stadium, pavarësisht se çmimet e biletave kanë qenë thuajse simbolike. E gjithashtu moti ka qenë i favorshëm në Shkodër.

-Ndeshje jubilare për Balajn me fanellën e Vllaznisë. Sulmuesi numëron 100 paraqitje me shkodranët në karrierë ku i dorëzohet edhe një fanellë nga ana e golashënuesit më të mirë të historisë, Vioresin Sinani.

-Vërshëllima nga ana e ultrasve kuqeblu pa nisur ndeshja. Gjithçka lidhet me pozicionimin e tyre, që nuk janë si zakonisht në tribunën C5, por në atë D.

-Në stadium për të ndjekur ndeshjen është edhe ish-trajneri i Vllaznisë në sezonin e shkuar, Migen Memelli.

-Ultrasit lënë stadiumin në minutën e 8-të. Në shenjë proteste për mbylljen e tribunës C5.

-I nevrikosur Brdaric me mbrojtjen e tij, ku topi ngel vakant 2-3 gjuajtje rradhazi në zonë. Duke rrezikuar për të pësuar gol.

-Vihet re që trajneri Egbo i Bylis mban në duar shumicën e kohës një letër. Ku mban shënime që shpesh ia transmeton lojtarëve.

-Kryesori Vrapi vërshëllen për penallti. Gjyqtari kthen vendimin pas rishikimit të rastit me VAR. Madje ka karton të verdhë për Delajn për stimulim.

-Fillon menjëherë me gol pjesa e dytë për Vllazninë. Milos Stojanovic shënon golin tipik të “ish-it”.

-Ka sërish ndalesë nga VAR, për një rast të topit të prekur me dorë nga Stojanovic. Pas një vonese disa minutëshe, gjyqtari Vrapi vendos për penallti në favor të Bylis. Fakt që nxeh shumë Brdaric, që i drejtohet dikujt në stolin e ballshiotëve me fjalët: “Qepe gojën”.

-Në një moment hapen impiantet e ujit në stadium. Loja ndalohet derisa sistemi të fiket.

-Aksion fantastik i Vllaznisë që mbyllet me golin e Balajt. Rrjeta dërgon në delir tifozët kuqeblu dhe qetëson Brdaric.

-Largohet nga fusha mes duartrokitjesh Mala.
Në vendin e tij futet Tafili, që bën debutimin sezonal.

-Mbyllet 2-0 për Vllazninë që merr kryesimin e Superiores. Ndërsa vijon kriza për Bylis që mbetet në vendin e parafundit me 5 pikë.

ENDRI ÇINARI