Vazhdojnë polemikat rreth Real Madrid në Spanjë për shkak të Santiago Bernabeut. Prej muajsh stadiumi i Los Blancos ka qenë në qendër të polemikave për “shqetësimin e qetësisë publike” të shkaktuar nga zhurmat e forta gjatë ndeshjeve dhe koncerteve të organizuara në impiantin historik që ndodhet në qendër të Madridit.
“Lufta ndaj Bernabeu-t” është ndezur aq shumë sa në debat ka ndërhyrë edhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë spanjolle, sipas të cilit “Real Madrid po bën doping me paratë publike falë përdorimit të Bernabeu”.
Sipas tij, klubi “mund të shkelë rregullat e Fair Play-t Financiar, duke rrezikuar të ketë probleme me UEFA-n”. Marca i jep hapësirë të mjaftueshme çështjes. Për këtë ka folur edhe juristi José Antonio Martín Pallin në Tve, televizionin publik spanjoll.
“Real Madridi po bën doping me paratë publike, me parkingje dhe me disa aktivitete që nuk janë as futboll, as sport”, shpjegoi ai. Ish-gjyqtari denoncoi gjithashtu se “zhurma nga Bernabéu është një krim kundër mjedisit”.