Guangzhou është zhdukur nga harta e futbollit kinez. Nga pagat e majme deri te blerjet e çmendura, sot një nga skuadrat më të suksesshme të Kinës nuk ekziston më. Klubi ishte përjashtuar tashmë nga kampionatet profesionale për shkak të borxheve të shumta, por tani ka mbyllur përfundimisht dyert.

Njoftimi për ndalimin e aktiviteteve sportive është bërë publik me një komunikatë të shoqërisë. Federata Kineze e Futbollit ka përjashtuar Guangzhou FC, ish-Guangzhou Evergrande, nga lista e 49 skuadrave që përbëjnë kampionatet profesionale kineze për vitin 2025.

Klubi kishte rënë në kategorinë e dytë në vitin 2022, si pasojë e vështirësive financiare të grupit gjigant të pasurive të patundshme Evergrande Real Estate Group, i cili pësoi rënie për shkak të krizës së tregut të pasurive të patundshme në vend.

Kjo është një skuadër e njohur edhe në Itali, pasi Fabio Cannavaro, në vitin 2019 si trajner, fitoi titullin e fundit të klubit në Kinë. Para ish-kapitenit të Italisë, në vitin 2012, Marcello Lippi drejtoi ekipin duke fituar dy kampionate, një Kupë të Kinës dhe një Champions të Azisë, përpara se të bëhej drejtor teknik dhe t’ia linte pankinën Cannavaros.

Në atë kohë, Kina po shpenzonte shifra rekord me disa futbollistë që shkonin nga Europa në Azi për shkak të fitimeve të mëdha. Në këtë kontekst, Guangzhou bleu për 42 milionë euro Paulinho-n dhe Jackson Martinez nga Atletico Madrid. Për momentin, Guangzhou është jashtë gjithçkaje, por në komunikatë thuhet se klubi do të bëjë të pamundurën që skuadra të rikthehet në kampionatin elitar të futbollit kinez. Aktiviteti sportiv do të vazhdojë vetëm me sektorin e të rinjve.

Ndër blerjet më prestigjioze në historinë e fundit të klubit kinez ishte edhe Talisca për 20 milionë euro. Ndër ish-lojtarët e famshëm të Guangzhou përmenden edhe dy italianët, Alberto Gilardino dhe Alessandro Diamanti.

Futbolli në Kinë praktikisht u mbyll midis viteve 2019 dhe 2020. Shumë lojtarë u kthyen në Europë. Përveç Guangzhou, edhe Cangzhou Mighty Lions dhe Hunan Xiangtao janë përjashtuar përkatësisht nga kampionati elitar dhe liga e tretë.


Shkaqet e rënies së futbollit kinez

Pas vitit 2022, Guangzhou luajti në kategorinë e dytë, ku përfundoi për shkak të krizës financiare dhe borxheve. Midis viteve 2010 dhe 2019, Federata Kineze vendosi gjithashtu rregulla më të rrepta për pagat dhe transferimet e lojtarëve. Praktikisht, përfundon një epokë suksesi për Kinën, e cila për pak kohë përjetoi një zgjerim të futbollit përpara se të binte perdja. Një situatë e ngjashme po ndodh sot në Arabinë Saudite, me rritjen e madhe të futbollit atje që vazhdon të tërheqë shumë ‘yje’ të futbollit europian.