Esat Mala mungoi në dy ndeshjet e fundit miqësore që Vllaznia zhvilloi në Slloveni dhe nga sa mësohet, ky nuk ka qenë një vendim teknik apo taktik i trajnerit Martini.
Kjo, sepse 26-vjeçari ka shfaqur probleme fizike dhe në mënyrë që të mos rrezikohej është vendosur të mos hidhet në fushën e lojës në duelet e fundit përgatitore.
Prizrenasi ka vuajtur një lëndim në këmbën e djathtë dhe ditën e enjte, sipas informacioneve të marra nga gazeta, ka bërë një rezonancë në qytetin e Shkodrës. Për të bërë një analizë më të detajuar të lëndimit të tij dhe në mënyrë që të jetë sa më shpejt në fushën e lojës.
Megjithatë, për Malën nuk duket të ketë diçka serioze dhe në seancën e radhës stërvitore pritet të jetë pjesë e skuadrës. Patjetër që mesfushori është një nga pikat e forta të formacionit kuqeblu. Dhe do të ishte një “humbje” e madhe për 9 herë kampionët e vendit nëse ai do të mungonte në ndeshjet e Conference League përballë Daugavpils.