Ashtu siç paralajmëroi Simone Inzagi, Interi pret të zbresë sot në fushë me formacionin më të mirë të tij dhe sinjalet pozitive mbi rikuperimin e Hakan Çalhanoglusë do t’ia lehtësojnë edhe më shumë zgjedhjet trajnerit zikaltër.

Turku pritet të marrë vendin e tij në regji në mungesë të Brozoviçit, edhe pse nuk përjashtohet fakti që ky pozicion t’i besohet Kristjan Asllanit, me Çalhan që do të merrte rolin e tij natyral krah Mikhitarianit. Pavarësisht pozicionimit, kjo do të jetë treshja e mesfushës zikaltër, që në krahë do të shoqërohen nga Darmian e Dimarko, ndërkohë që sulmi do të udhëhiqet nga Lautaro e Xheko.

Pak dyshime për Inzagin në prapavijë, aty ku do të rikthehet Açerbi titullar në qendër krah Bastonit e Shkriniarit, pasi italiani e nisi nga stoli në Kupën e Italisë ku vendin e tij e kishte marrë De Vraj.

Njëkohësisht stërvitja e djeshme përjashtoi që Lukaku apo Brozoviç të jenë gati për t’iu bashkuar ekipit, me Barelën që mund të jetë në stol, ndërkohë që të gjithë synojnë të rikuperohen për Superkupën e së mërkurës.