Edlir Tetova ka folur në prag të ndeshjes që Egnatia do të luajë me Partizanin në transfertë. Ky takim është i programuar për javën e 16-të të Superiores dhe nis nesër në orën 17:00. Tetova ka komentuar terrenin e stadiumit “Arena e Demave”, por nuk fsheh objektivin për fitore.

Java- “Kemi kaluar një javë shumë të mirë. Vijmë pas dy fitoreve si në Ballsh dhe me Elbasanin. Skuadra gëzon një formë të mirë dhe jemi gati për ndeshjen”.

Rotacion- “Duke filluar që nga ndeshja me Elbasanin, kishim tri mungesa. Ishte një njëfarë rotacioni, përtej kartonëve dhe gjendjes jo të mirë të Xhemajlit. Ato janë kthyer dhe besoj se formacioni është i plotë. Do shikojmë me kujdes gjendjen e Malotës, që doli i dëmtuar nga ndeshja e fundit. Do vendosim sot për gjithçka”.

Dëmtime apo pezullime- “Nuk ka pezullime. Është vetëm pjesa e Malotës që do e shohim sot dhe do të vendosim”.

Transferta me Partizanin- “Është një fushë e vështirë sepse terreni është sintetik. Këto fusha tashmë nuk kanë tabu sepse me këto terrene po stërvitemi”.

Përballje direkte- “Do të jetë ndeshje e bukur, luan vendi i parë me të dytë. Sigurisht që janë dy pikë, do mundohemi për revansh. Do shikojmë që të kemi një ndeshje të kujdesshme”.

Diferenca- “Grupi do ta bëjë diferencën, ai që do gabojë më pak besoj do të dalë nga fusha e lojës me kokën lart”.

Parashikimi- “Shumë shpejt, akoma nuk jemi në gjysmën e kampionatit. Mendoj ato skuadra drejt katërshes kanë marrë rrugë, megjithatë asgjë nuk është e vulosur. Ka dhe skuadra të tjera që do të rivalizojnë, kështu do të presim fundin”.

Merkato- “Me skuadrën kundërshtare nuk jam marrë, informacionin e kam shumë të pakët. Te skuadra ime grupi po hyn në rrjedhën e lojës sime. Mendoj se nuk do të ketë largime, për faktin se lojtarët janë në kontratë, megjithatë do të presim janarin për të dhënë një formacion më të saktë.

“Hakmarrje” ndaj Partizanit- “Është nëntë ndeshje larg, është ndeshje e kaluar. Tani ekipi ka tjetër fytyrë, megjithatë do të kërkojmë maksimumin nesër.

Inferior në ndeshjet direkte me Partizanin- “Inferior jo, të mobilizuar ndoshta më shumë. Ky do të jetë fokusi ndoshta kryesor”.