Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia synon të ndërtojë një skuadër që të jetë jo vetëm konkurruese, por pretendente për objektiva të mëdha. Ambicia në klub është e qartë, teksa Vllaznia synon të jetë një forcë që të rivalizojë jo vetëm për vendet europiane, por edhe për titullin kampion. Kuqeblutë po punojnë për transferimin e rradhës, i cili për hir të së vërtetës do të jetë i bujshëm.

“Shkodra Sport” mëson ekskluzivisht se te Vllaznia janë në tratativat e fundit me Sherif Kallakun. Në fakt, bëhet fjalë për një përforcim me peshë në mesfushë, ku kuqeblutë në pozicionin e fantazistit nuk kanë alternativa natyrale.

Kallaku do të jetë transferim me peshë dhe pritet të vendoset shumë shpejt nën urdhrat e trajnerit Martini. Pas largimit të Kahrimanoviç, gjetja e një fantazisti është kthyer në detyrim. Kjo ka bërë që kuqeblutë të lëvizin dhe Kallaku do të jetë në dispozicion të trajnerit Martini në fillimin e fazës përgatitore në Maribor të Sllovenisë.

Megjithatë, kuqeblutë nuk do të ndalen me kaq në merkato. Tjetër repart që shfaq nevojë për alternativa me peshë është i mbrojtjes. Për këtë, drejtuesit po punojnë, teksa zgjedhjet nuk do të bëhen të nxituara.(www.shkodrasport.com)