Nga Gjergj KOLA

Sulmuesi shkodran Majkol Luka ndonëse është vetëm 16 vjeç, është vënë në qendër të merkatos. Paraqitjet e tij të mira në sezonin që po mbyllet me ekipin Fiorentina U16 kanë bërë që disa ekipe të hedhin sytë drejt tij. Për shtatëlartin e sulmit ka shfaqur interes mbi të gjitha Juventus.

Drejtuesit e Akademisë së tij duan ta kenë në ekipin e tyre dhe kanë nxituar ta bindin Majkolin, por edhe familjen e tij megjithatë deri tani nuk ka asnjë lëvizje. Por torinezët nuk janë të vetmit që e duan. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se edhe Borusia Dortmund ta shfaqur interes për këtë futbollist.

Megjithatë ka qenë klubi i Fiorentinës që ka bllokuar çdo gjë. Kjo sepse siç dihet, 16 vjeçari firmosi qershorin e vitit të kaluar një kontratë trevjeçar me ta dhe prandaj nuk kanë ndër mend të heqin dorë kollaj prej tij sepse e shohin si një investim për të ardhmen.

Ndërkohë pa menduar shumë për merkaton, Luka ka filluar të jetë i përqendruar tek dy ndeshjet miqësore të kombëtares U16 të Shqipërisë ndaj Bullgarisë që do të luhen më 5 dhe 8 qershor në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ftesa nga Federata Shqiptare e Futbollit ka mbërritur tashmë tek zyrat e Akademisë së Fiorentinës dhe lojtari është lajmëruar për të.(www.shkodrasport.com)