Transferimi i Florian Wirtz te Liverpool-i mund të vendosë një rekord të ri shitjeje në histori të Bundesligës. “Reds” kanë ofruar 135 milionë euro, përfshirë bonuset, por sipas “Bild”, kjo shifër nuk është konsideruar e mjaftueshme nga Bayer Leverkusen. Klubi gjerman nuk pranon lojtarë si pjesë e marrëveshjes, por vetëm para “cash”. Pra, jo shkëmbime.

Aktualisht, rekordi i shitjes më të shtrenjtë nga Bundesliga mbahet prej Ousmane Dembélé, i cili në vitin 2017 kaloi nga Borussia Dortmund te Barcelona për të zëvendësuar Neymar (i shitur për 222 milionë te PSG). Shifra bazë për Dembélé ishte 105 milionë euro, por me bonuset e përmbushura, në shtatorin e kaluar pagesa totale arriti në 148 milionë euro.

Wirtz do ta kalonte këtë shifër, nëse përmbushet kërkesa e Bayer Leverkusen. Në moshën 22-vjeçare, a i justifikon vërtet 150 milionë euro talenti gjerman? Kjo është pyetja që po ngrihet në Gjermani dhe Angli. Megjithatë, duke parë sezonin e tij fantastik me Leverkusenin dhe potencialin që ka, Liverpool-i duket i gatshëm ta bëjë këtë “mal me para” për të siguruar një nga mesfushorët më të kërkuar në botë./telesport/