Puna për Vllazninë e “re” duket se ka nisur. Me dyshen e emëruar së fundmi, Martini-Sinani, të cilët po spikasin elementët që mund t’u shërbejnë kuqebluve në sezonin 2025-‘26.
Si trajneri i ri i shkodranëve e po ashtu edhe drejtori teknik kanë udhëtuar gjatë javës së shkuar drejt Kosovës, për të dalluar ndonjë element që spikat në futbollin kosovar. Ish-sulmuesit kanë preferuar të ndjekin finalen e Kupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit, e përfunduar në shifrat 1-0 në favor të ekipit kryeqytetas, që i siguroi edhe trofeun e kupës ekipit bardheblu.
Dyshja e Vllaznisë duket se ka qenë e përqendruar më shumë në dallimin e elementëve që mund të përforcojnë mesfushën apo edhe mbrojtjen kuqeblu. Nga ajo çfarë mëson gazeta, 3 kanë qenë emrat më të përveçëm, për të cilët kuqeblutë kanë vëzhguar.
Fjala është për mbrojtësit Ardian Limani të Prishtinës dhe Diar Vokrri të Llapit. Teksa një vëmendje ka pasur edhe mesfushori me tipare sulmuese i Prishtinës, Albin Krasiniqi. Te Vllaznia po studiojnë fillimisht tregun në rajon, me lojtarë që mund t’i shërbejnë skuadrës për sezonin e ardhshëm.