Herbert Hainer ka vendosur të kandidojë sërish për president te Bajerni. Siç u njoftua të hënën nga kampionët rekord të Gjermanisë, Hainer do të qëndrojë në garë për rizgjedhje në mbledhjen e ardhshme të përgjithshme vjetore, e cila pritet të zhvillohet në vjeshtë, rreth ndeshjes në shtëpi kundër Bajer Leverkusenit.
Përpara kësaj, Hainer do të propozohet zyrtarisht si kandidat nga Këshilli Administrativ më 5 shtator. Ishdrejtuesi i Adidas-it, i cili ka qenë pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Bajernit që nga viti 2002, mori postin e presidentit në nëntor 2019, duke pasuar shefin legjendar të klubit, Uli Hënes. Tre vite më parë, ai u rizgjodh me 83.3 për qind të votave pro nga anëtarët e klubit. Tani pritet një mandat i tretë!
Hainer tha në faqen zyrtare të klubit: “Për mua është një nder të jem president i Bajern dhe do të isha i lumtur nëse Këshilli Administrativ do të më kandidonte sërish. Që i ri kam qenë në tribunën e tifozëve: E ndjej si një përgjegjësi të madhe për të gjithë ne që ta zhvillojmë vazhdimisht këtë klub, bashkë me bazën tonë unike të tifozëve, që të gjithë të jenë krenarë për Bajernin tonë”.
Ai vazhdoi: “Bëhet fjalë për pasion, guxim, qartësi – dhe unitet. Gjithmonë kam thënë se dua të jem president i të gjithëve – dialogu është i rëndësishëm për mua, dhe në këtë drejtim klubi ka vendosur standarde vitet e fundit. Në 125-vjetorin tonë, aktualisht kemi 410,000 anëtarë: Kjo shifër flet vetë. Bajerni duhet të jetë një shtëpi për të gjithë. Për këtë qëndron komiteti ynë ekzekutiv – edhe në të ardhmen”.
Përveç Hainerit, edhe nën-presidenti, profesori dr. Dieter Majer dhe Valter Menekes do të kandidojnë për rizgjedhje. Data e saktë e mbledhjes së përgjithshme vjetore ende nuk është caktuar dhe do të shpallet sapo Bundesliga të planifikojë ndeshjen kundër Leverkusenit, me gjasë në fillim të shtatorit.