Një formë e re e VAR-it u prezantua në Serie C këtë javë, ndërsa gjyqtari legjendar Pierluigi Collina, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve në FIFA, e vëzhgoi përdorimin e tij në një përballje mes Livornos dhe Ternanës.
Në prag të sezonit 2025/2026, Collina zgjodhi kategorinë e tretë të futbollit italian, Serie C, për të pilotuar një sistem të ri të quajtur Football Video Support (FVS).
Së pari, FVS nuk përdor një dhomë tradicionale VAR. Në vend të kësaj, një sistem portativ i operuar nga anësori do t’u lejojë trajnerëve të sfidojnë dhe potencialisht të ndikojnë në vendimet gjatë lojës.
Para fillimit, stafi teknik i secilës skuadër do të marrë dy kartona, një karton të purpurt për skuadrën vendase dhe një të artë për skuadrën mysafire. Këto kartona i lejojnë trajnerit të sfidojë gjyqtarin që të rishikojë një rast.
Me pak fjalë, nëse një skuadër beson se gjyqtari ka bërë një gabim, atëherë trajneri përdor kartonin (dy të lejuar për ndeshje) dhe ia dorëzon atë gjyqtarit të katërt. Më pas, gjyqtari e rishikon incidentin.
Nëse vendimi fillestar qëndron, sfida e skuadrës konsiderohet e konsumuar, por nëse sfida është e suksesshme, atëherë skuadra e merr kartonin përsëri dhe mund ta përdorë më vonë gjatë ndeshjes. Por, siç u përmend më sipër, lejohen vetëm dy kartona për gjithë ndeshjen.
Në thelb, sistemi Football Video Support u jep trajnerëve të të dy skuadrave mundësinë për të kërkuar rishikimin e çdo incidenti që konsiderohet i diskutueshëm ose i pasaktë.
Këtë javë, në përballjen e Serie C mes Livornos dhe Ternanës, trajneri Fabio Liverani kërkoi një rishikim përmes Football Video Support duke kërkuar një karton të kuq për lojtarin e Livornos, Jesus Mawete.
Gjyqtari u thirr të shikonte monitorin, por pas analizimit të episodit, vendosi të mos e pranonte kërkesën e Liveranit dhe nuk e përjashtoi Maëeten, i cili në vend të kësaj mori një karton të verdhë./Telegrafi/