Nga Endri ÇINARI
Kishte dyshime para ndeshjes me Egnatian se kush me Leon Pohls dhe Aron Jukajt do mbronte portën e Vllaznisë. Në një moment ku gjermani i afruar këtë merkato verore tek kuqeblutë dukej favorit ndaj shkodranit, gjithçka ka ndryshuar në çastet e fundit. Ku trajneri Martini vendosi që t’i besojë nga minuta e parë 20-vjeçarit, i cili ishte portieri titullar i skuadrës gjatë gjysmës së sezonit të shkuar.
E po ashtu u paraqit si titullar edhe në dy takimet e Conference League këtë verë kundër Vikingur. Dhe zgjedhja e Martinit dhe stafit të tij rezultoi të ishte e duhura sepse Jukaj jo vetëm dhuroi një siguri në portë, por ishte edhe vendimtar në dy-tre raste përballë sulmuesve kundërshtar. Duke e mbajtur kështu portën e paprekur dhe duke e nisur edicionin 2025-26 të Superiores në mënyrën e duhur.
Kështu rivaliteti për portën tek Vllaznia duket se do jetë i “ashpër” këtë sezon. Me Pohls që duket se ende duhet të presë për shansin e tij dhe Jukajn i cili nuk ka ndërmend ta “lëshojë” kollaj portën dhe katërkëndorin kuqeblu.
Ku ky i fundit me të vërtetë ka bindur me performancat e tij në këtë fillim sezoni e patjetër niveli i treguar nga Jukaj kënaq shumë tek 9 herë kampionët e vendit. Të cilët kanë një tjetër element të ri që po spikat në skuadër dhe nga i cili mund të përfitojnë në të ardhmen.(www.shkodrasport.com)