Nuk është ende koha për ta parë Neymar përsëri në ekipin kombëtar brazilian. Numri 10 i Santosit u la jashtë skuadrës së trajnerit Carlo Ancelotti për t’u përballur me Kilin dhe Bolivinë në raundin e fundit kualifikues për Kupën e Botës 2026. 33-vjeçari, i cili po shërohet nga një dëmtim në kofshën e majtë, u la jashtë nga trajneri italian.
Duke folur në një konferencë për shtyp, ish-trajneri i Real Madridit shpjegoi vendimin e tij: “Neymar nuk është i disponueshëm, pati një problem të vogël javën e kaluar. Por nuk kemi nevojë ta testojmë Neymarin, të gjithë e njohin, komiteti teknik, ekipi kombëtar dhe tifozët brazilianë. Ashtu si të gjithë të tjerët, Neymar duhet të jetë në gjendje të mirë fizike për të ndihmuar ekipin kombëtar të performojë mirë në Kupën e Botës. Këto dy ndeshje janë të fundit të kualifikueseve, kështu që duhet ta përfundojmë mirë këtë fazë”.
Nëse ai i ka kontaktuar me Neymar dhe Rodrygo për të justifikuar mungesën e tyre: “Nuk kam folur me ta. Ata e dinë shumë mirë vizionin e ekipit kombëtar. Natyrisht, ata duhet të luajnë dhe të jenë në gjendje të mirë fizike. Nuk kam nevojë t’ua shpjegoj këtë. Nëse duan shpjegime, mund të më telefonojnë. Rodrygo e ka numrin tim, nuk e di nëse e ka Neymar, por mendoj se po”.
Në fund, Ancelotti përfundoi: “Një kriter shumë i rëndësishëm për stafin e trajnerëve është gjendja fizike. Një lojtar që luan për ekipin kombëtar duhet të jetë 100% në formë, ky është një kriter shumë i rëndësishëm për ne. Ka shumë konkurrencë në çdo pozicion, mbrojtës të krahut, mesfushorë, anësorë… Nëse një lojtar nuk është 100% në formë, unë mund të thërras lehtësisht një tjetër”.