Nga Endri ÇINARI
Tek Vllaznia në fillimin e kësaj jave kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e rradhës në kampionat kundër Dinamos. Dhe një fakt që gëzon shumë para këtij dueli ndaj kryeqytetasve është se grupi i kuqebluve tashmë gëzon formë të plotë fizike.
Asnjë nga futbollistët e skuadrës shkodrane nuk vuan ndonjë dëmtim apo gjendje gripale, duke qenë kështu të gjithë të gatshëm nën urdhërat e Edi Martinit. Edhe një futbollist si Ardit Krymi i cili periudhën e fundit i është nënshtruar seancave të shumta rikuperuese, tashmë duket se ka lënë gjithçka pas krahëve.
Me mesfushorin që “vuajti” shumë gjatë kësaj periudhës verore ku kuqeblutë zhvilluan ndeshjet në Conference League. Në mënyrë që ekipi të shmangë mbingarkesat e panevojshme në prag të edicionit të ri, stafi mjekësor me direktivat e Martinit i ka dhënë një prioritet të madh rikuperimit të lojtarëve. Kjo për të shmangur ndonjë lëndim për shkak të ndryshimit të ritmit dhe fillimit të sezonit, ku ende futbollistët nuk gëzojnë 100% të formës së tyre sportive dhe fizike.
Dhe këtë duan të evitojnë tek 9 herë kampionët e vendit. Nisur edhe nga eksperienca aspak pozitive e sezonit të shkuar e Vllaznisë. Ku shkodranët ishin ekipi që pësoi më shumë lëndime futbollistësh se askush tjetër në Superiore. Me mbi 14 futbollistë që qëndruan në infermieri dhe jashtë fushave të lojës në periudha të ndryshme të edicionit 2024-25.(www.shkodrasport.com)