Bayern Munich po punon për të forcuar repartin ofensiv dhe duket se ka gjetur një mundësi konkrete në merkaton e verës. Sipas BILD, klubi bavarez ka arritur një marrëveshje në parim me sulmuesin e Chelseat, Nicolas Jackson, për kornizën e një huazimi të mundshëm.
24-vjeçari senegalez iu bashkua Chelseat nga Villarreal në verën e vitit 2023 për rreth 37 milionë euro. Ai ka regjistruar 24 gola në 65 paraqitje në Ligën Premier, duke treguar aftësinë për të luajtur si qendërsulmues dhe si sulmues krahu.
Para ndeshjes së Kupës ndaj Wiesbadenit, drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, u pyet në ZDF për interesimin ndaj Jackson, duke lënë të kuptohet se lojtari i Chelseat është profil i përshtatshëm: “Nëse gjejmë një lojtar që është fizikisht gati, që mund të shënojë gola, të japë asiste dhe që ka fituar tashmë përvojë, do të donim ta merrnim atë në huazim”.
Kur u pyet drejtpërdrejt nëse Nicolas Jackson i përmbush këto kritere, Eberl shtoi: “Nëse e lexoj CV-në e tij, atëherë ai mund ta bëjë”.
Bayern po e sheh opsionin e huazimit si zgjidhjen më të arsyeshme për momentin, ndërsa kërkon të forcojë sulmin pas një vere me shumë lëvizje në tregun e transferimeve, por Chelsea e dëshiron shitjen permanente. /Telegrafi/