HomeFUTBOLL'Eagles Land FC', klubi i futbollit që po i bën krenarë të...

‘Eagles Land FC’, klubi i futbollit që po i bën krenarë të gjithë shqiptarët në Angli

Nga Gjergj KOLA

Shqiptarët nëpër Botë tashmë jo vetëm janë ingranuar në jetën e përvitshme të vendeve ku jetojnë, por po kërkojnë ta thonë fjalën e tyre edhe në fusha të ndryshme. Madje edhe në sport, ndonëse kjo nuk është aspak e lehtë, për më tepër kur klubi për të cilin po shkruajmë, e kërkon suksesin në vendlindjen e futbollit, në Angli.

E kemi fjalën për “Eagles Land FC”, një klub shqiptarësh, i themeluar në vitin 2019 në Londër. Fillimisht, kuptohet si një skuadër amatore, por me ambicien për t’u rritur nga dita në ditë dhe sot pas 6 vitesh, drejtuesit e tij janë shumë të kënaqur me çfarë kanë arritur. Falë rezultateve të arritura dhe punës së palodhur, brenda vetëm katër vitesh, klubi fitoi statusin gjysmë-profesionist, duke treguar seriozitet dhe vizion të qartë.

Po kush e drejton këtë klub?

President është Admir Lala, me origjinë nga Kukësi, i cili jeton prej 24 vitesh në Londër. Me ambicie dhe përkushtim të madh, ai synon të nxjerrë në pah vlerat më të mira që shqiptarët japin dhe kontribuojnë në Britani, aty ku shpesh është ndjerë boshllëk dhe mungesë përfaqësimi i komunitetit tonë.

Në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport” presidenti Lala është shprehur: “Sot, me klubin tonë, ne përfaqësojmë komunitetin shqiptar në nivele të larta të arenës gjysmë-profesioniste. “Eagles Land” (Toka e Shqiponjave) është më shumë se një skuadër futbolli – është një “kombëtare e vogël shqiptare” në Londër, që i jep mundësi lojtarëve shqiptarë të tregojnë talentin dhe vlerat e tyre në fushën sportive”.

Po cilat janë synimet dhe ambiciet e këtij klubi? Presidenti i tij duke vazhduar rrëfimin e tij për gazetën tonë do të shprehej: “Synimet janë që të fitojmë titullin në ligën ku garojmë dhe kjo gjë do na siguronte pjesëmarrjen në FA Cup, duke përmbushur të gjitha kushtet e infrastrukturës dhe nivelit profesional. Gjithashtu synojmë të krijojmë një mjedis ku shqiptarët të mblidhen së bashku, për të shijuar futboll cilësor dhe emocione të vërteta”.

Admir Lala kuptohet që e drejton këtë klub, por ai në prononcimin e tij gjen rastin edhe të falenderojë të gjithë ata që i janë gjendur pranë dhe për këtë thotë: “Falënderojmë nga zemra të gjithë komunitetin për mbështetjen e vazhdueshme. Njëkohësisht ftojmë të gjithë shqiptarët të bashkohen me ne, të mbështesin klubin dhe të festojnë së bashku arritjet tona”.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments