Mbape është njeriu i golave të Real Madridit. Sezonin e kaluar, ai përfundoi si golashënuesi më i mirë i ligës spanjolle dhe fitoi Këpucën e Artë. Pavarësisht të gjithave, Zhan Pierr Papen, një legjendë e futbollit francez si qendërsulmues, beson se Mbape i mungojnë aftësitë për të qenë një numër 9 tipik.
“Mbape ka cilësitë për të qenë një numër 9 i shkëlqyer. Vitin e kaluar ai erdhi në një klub të ri, i duhej pak kohë për t’u përshtatur dhe pavarësisht gjithçkaje, ai shënoi shumë gola.
Nuk mendoj se ai do të jetë ndonjëherë një numër 9 tipik në zonë. Ose e ke ose jo. Cilësia e tij kryesore është shpejtësia dhe thellësia. Ai nuk ka aftësinë të ndalet dhe të qëndrojë aty ku duhet të jetë, midis pikës së penalltisë dhe vijës së gjashtë metrave. Ai nuk e ka mësuar këtë,” tha Papen për RMC Sports.
Francezi mori veten si shembull të kurbës së të mësuarit që Mbape duhet të kalojë për t’u bërë një qendërsulmues i pastër: “Kur arrita tek Milani, nuk luaja me shpinë nga porta.
Kapelo më mbante prapa, vendoste një ose dy mbrojtës pas meje për të më detyruar të luaja si qendër, duke pasuar. Më vonë, te Bordo, trajneri im, Kurbis, vuri re këto ndryshime, duke shtuar se gjithmonë mund të mësosh, për sa kohë që dëshiron të mësosh.” Papen shtoi edhe një dobësi tjetër: “Dobësia tjetër që ai ende ka është gjuajtja me kokë. Nuk i pëlqen kontakti nga ajri, kjo është e qartë.”