Refuzimi i Françesko Açerbit ndaj ftesës së Italisë për ndeshjen ndaj Norvegjisë, ka bërë mjaft bujë përtej Adriatikut. Vendimi i lojtarit, pasi kishte pranuar parimisht t’i bashkohej Italisë, si dhe polemika e tij e hapur me trajnerin Spaleti, janë kthyer në temë diskutimi.

Për çështjen në fjalë ka folur edhe Xhanluixhi Bufon, kreu i delegacionit të Italisë, i cili ka bërë të qartë se ky ishte kapitulli i fundit i Açerbit me të kaltrit, pasi vështirë se do të merrte ftesa të tjera.

“Një futbollist nuk i thotë jo Spaletit, ai i thotë jo diçkaje më të madhe që është Italia. Në fund të fundit, figura si unë dhe Spaleti, ose trajnerët dhe menaxherët që ishin këtu më parë, ne jemi këtu, por jemi të përkohshëm.

Për një periudhë të caktuar të jetës sonë kemi nderin të jemi në gjendje të përfaqësojmë Italinë. Kjo vlerë është thelbësore: vlera unike është fanella blu dhe të qenit në gjendje të përfaqësojmë lëvizjen tonë futbollistike”, ishsin fjalët e qarta të Bufon për “RAI”, duke e bërë gjestin e Açerbit si një sinjal “tradhtie” ndaj kombit.