Portieri shkodran Alen Sherri është huazuar te Frosinone nga Kaljari. Këto të fundit kanë ruajtur të drejtën për ta riblerë kartonin e tij, në rast se Frozinone vendos ta mbajë portierin shqiptar.
Sherri duket entuziast për aventurën e re në Serië B. 27-vjeçari është ndalur si po shkon eksperienca e tij e re, ndërsa nuk ngurron të tregojë detaje nga jeta personale.
“Negociatat për të ardhur te Frosinone nuk zgjatën shumë. Jam i emocionuar që jam këtu, është mundësi e madhe dhe do të bëj më të mirën time për të marrë maksimumin. Gjëja më e mirë është se gjeta menjëherë një grup fantastik, më pritën shumë ngrohtë dhe i falenderoj për këtë”, u shpreh Sherri fillimisht.
Idetë- Në ditët e para, më pëlqen me të vërtetë mënyrë si po mundohemi ta ndërtojmë lojën. Jam bindur nga idetë e trajnerit dhe mendoj se duhet të jetë arsye e mirë për të gjithë.
Ëndrra e një portieri nga Shqipëria- Për ne, të luash në Italia është një ëndërr. Seria A është një nga ligat më të rëndësishme në botë, por edhe Seria B është po ashtu konkurruese. Për mua, nuk ndryshon shumë. E ndjej se po përjetoj një mundësi të madhe. E kam bërë debutimin në Seria A dhe të jem këtu është një mundësi kyçe për zhvillimin tim.
Stili personal- Nuk më pëlqen të flas me konsiderata të larta për veten, por besoj se një nga pikat e mia të forta është loja me këmbë. Jam dikush që gjithmonë do të mësojë dhe të përmirësohet. Qëkur kam ardhur, kam mësuar shumë dhe çdo ditë punoj për t’u rritur. Gjithmonë ka diçka për të përmirësuar në çdo aspekt.
Mendimi për tifozët- Një nga gjërat e para që më tha drejtori ishte se këtu ka një tifozeri shumë të zjarrtë dhe një stadium të mrekullueshëm. Por këtë e dija që më parë, kisha parë disa ndeshje nga sezoni i kaluar. Të luash me përkrahjen e tifozëve është thelbësore, sepse në fund të fundit ne luajmë për ta. Kam pasur rastin të takoj disa tifozë dhe të shkëmbej dy fjalë me ta, ishte me të vërtetë shumë mirë.
Kaljari- E shkuara është e shkuar. Nuk ka kuptim të flasësh për të. Por e di që Frozinone është një skuadër e rëndësishme, ka luajtur në Serie A deri para dy vitesh dhe është shumë e njohur në Itali. Kjo më ka dhënë edhe më shumë dëshirë për të ardhur këtu. Nga ana ime, shpresoj të bëj një kampionat të mirë, të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën. Pres që të gjithë, përfshirë veten time, të japim 100%.
Synimi- Kur del në fushë, duhet të japësh gjithçka. Ndeshjet fitohen dhe humben, por qëndrimi është ajo që ka rëndësi. Vij nga një kampionat ku kam luajtur pak, prandaj kam shumë dëshirë të tregoj veten. Pres që edhe shokët e skuadrës ta tregojnë këtë uri në fushë.
Hobi- Nuk kam shumë hobi. Njëri është të kaloj kohë me gruan time, e konsideroj një kënaqësi të vërtetë. Tjetri është të luaj Counter-Strike. Në Itali nuk është shumë i njohur, por në Shqipëri po. Jam rritur me këtë lojë dhe çdo mbrëmje, për një orë, akoma luaj.