Sër Xhim Retklif është gati të mbështesë ringjalljen e Mançester Junajtidit nga Ruben Amorim, por dëshiron siguri që ai të qëndrojë. Bashkëpronari i Junajtidit është i gatshëm ta mbështesë trajnerin e tij në merkaton e verës.
Por mesazhet e përziera të portugezit e kanë lënë Retklifit me frikën se Amorim mund të vendosë të tërhiqet duke menduar se puna e rindërtimit të skuadrës është shumë e vështirë për të. Amorim javën e kaluar zbuloi se mund të detyrohet të japë dorëheqjen, gati shtatë muaj pasi pasoi Erik ten Hagun e shkarkuar. Ai tha: “Është një moment vendimtar në historinë e klubit. Duhet të jemi vërtet të fortë në verë dhe të jemi të guximshëm, sepse nuk do të kemi një sezon të ardhshëm si ky.
Nëse e fillojmë kështu, nëse ndjenja është ende këtu, duhet t’u japim hapësirë njerëzve të ndryshëm”. Megjithatë, në vigjilje të humbjes 1-0 të së premtes në mbrëmje kundër Çelsit, tekniku këmbënguli se nuk do të hiqte dorë. Por “SunSport” kupton se Retklif mbetet i shqetësuar se ish-trajneri i Sportingut të Lisbonës mund të vendosë të largohet pas një sezoni të dobët, për të cilin ai tha se fajëson veten dhe e përshkroi si ekipin më të dobët të historisë së Junajtidit.
Retklif sheh tek Amorimi një personazh të ngjashëm me veten, njeriun që shndërroi kompaninë e tij “Ineos” në një gjigant botëror të petrokimikeve dhe u bë miliarder. Por ai dëshiron të dijë me siguri nëse trajneri do t’i përmbushë të paktën dy vitet e mbetura të kontratës së tij. Ekziston frika se edhe fitimi i një vendi në Ligën e Kampioneve, duke triumfuar në finalen e Ligës së Europës të mërkurën ndaj Totenhemit në Spanjë, mund të mos jetë i mjaftueshëm për të parandaluar largimin e trajnerit portugez.