Trajneri i Mançester Junajtidit, Ruben Amorim, është i bindur se klubi mbetet një destinacion tërheqës për objektivat e merkatos, pavarësisht se ndodhet në vendin e 14-të në tabelën e Premier Ligës. Portugezi, i cili mori drejtimin në nëntor, thotë se ka një ide të qartë se si dëshiron të duket skuadra e tij sezonin e ardhshëm.
Duke marrë parasysh se Junajtid po shkon drejt përfundimit të sezonit më të dobët që nga rënia nga kategoria në sezonin 1973-74, duket e sigurt se Amorim synon të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër. “Djajtë” janë të interesuar për sulmuesin brazilian të Uolvesit, Mateus Kunja dhe gjithashtu janë lidhur ngushtë me sulmuesin e Ipsuiçit, Liam Delap, i cili ka një klauzolë lirimi prej 30 milionë paundësh, çka e bën tërheqës për shumë klube.
Junajtid ka nevojë ta fitojë Ligën e Europës për t’u kualifikuar në Champions dhe është në rrezik që të kalojë sezonin e dytë pa luajtur në Europë që prej vitit 1990, kur klubet angleze u lejuan të rikthehen pas tragjedisë së Hejselit. Por trajneri portugez nuk ka asnjë dyshim se Junajtid mbetet një klub tërheqës, pavarësisht nga këto sfida. “Është Mançester Junajtid”, tha ai. “Çdo lojtar dëshiron të luajë për Junajtidin. Për momentin, klubi ynë ka shumë probleme, por ne kemi një ide të qartë”.
Amorim refuzoi të konfirmojë interesimin e klubit për Kunjën, i cili ka një klauzolë lirimi prej 62.5 milionë paundësh dhe besohet se është i hapur për një kalim në “Old Trafford”. Ish-trajneri i Sportingut mori shembullin e Kasemiros, si një lojtar që ka ndryshuar mendje për të ardhmen e tij në klub. Braziliani ka edhe një vit në kontratë dhe së fundmi është shprehur se dëshiron të qëndrojë në Mançester.