Humbja e Vllaznisë në ndeshjen e parë ndaj letonezëve të Daugavpils është diskutuar edhe nga trajneri i njohur Dritan Mehmeti në një analizë që ai ka bërë në “Sport News” teksa ka komentuar edhe shanset që ajo ka për kualifikim në ndeshjen e kthimit që do të luhet të enjten e ardhshme në Riga.

“Tifozëria shkodrane është shumë e ndjeshme dhe e lidhur me skuadrën. Ndaj, është negative që Vllaznia nuk e shfrytëzoi këtë bonus, pavarësisht se ndeshja nuk luhej në Shkodër. Por nuk është një justifikim gjithsesi.

Kishte përballë një kundërshtar që, edhe nga ajo që pamë në Elbasan, nuk ishte në nivelin e skuadrës shkodrane, ata bën vetëm një goditje në portë dhe fituan. Mendoj se Vllaznia nuk e interpretoi siç duhet ndeshjen.

Goli i pësuar e ka penalizuar shumë skuadrën. Nëse ndeshja do të kishte përfunduar 0-0, nuk do të ishte dramë. Por tani janë nën presion dhe duhet të menaxhojnë me kujdes aspektin psikologjik dhe atë taktik.

Nuk duhet të pësojnë në ndeshjen e kthimit. Nëse arrijnë të shënojnë që në pjesën e parë, gjithçka do të jetë më e lehtë. Futbolli na ka mësuar se edhe rezultatet më të vështira mund të përmbysen, ndaj gjithçka mbetet e hapur”- është shprehur Mehmeti.