Për Karlo Ançelotin ka nisur java e fundit si trajner i Realit të Madridit. Kur bilbili të bjerë për herë të fundit në Madrid të shtunën kundër Sociedadit, kjo do të shënojë dhe fundin e italianit në aventurën e tij të dytë në Madrid. Trajneri më i suksesshëm në historinë e Realit të Madridit do t’i japë lamtumirën klubit të bardhë për të nisur të hënën e 26 majit një sfidë të re, duke drejtuar Brazilin, pesë herë kampion i Botës.

Për momentin, nuk dihet se çfarë lamtumire ka planifikuar Reali i Madridit për të. Sepse, ndër të tjera, ata as nuk e kanë njoftuar ndarjen e tyre. Megjithatë, ajo që është e qartë është se të shtunën e ardhshme “Bernabéu” do të jetë një vend “pajtimi” dhe dashurie për një trajner i cili, ndonëse nuk ka pasur përfundimet më të mira në këtë sezon, ka fituar dashurinë e shumicës së tifozëve të Realit. E ndërsa po mbyll një aventurë madhështore, Ançelooti po bëhet gati të nisë një tjetër aventurë jo më pak sfiduese dhe interesante. Ai do të drejtojë Brazilin duke nisur nga 26 maji.

Një aventurë që edhe në vendin e madh të Amerikës së Jugut ka nisur me peripeci, me shkarkimin nga gjykata të presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigez, njeriut që bëri të pamundur uljen e italianit në stolin e 5 herë kampionëve të Botës. Ançeloti do të jetë trajneri i parë i huaj në historinë e Brazilit. Dhe bashke me të, ai duhet të thyejë dhe një “mallkim”. Titujt botërorë fitohen vetëm nga trajnerë të së njëjtës kombësi me kampionin!

Kjo është ajo çfarë na ka mësuar historia dhe që vërtetohet lehtësisht. Asnjë trajner i huaj nuk ka mundur të fitojë titullin botëror me kombëtaren që ka drejtuar. Dhe kanë qenë të shumtë trajnerët e huaj që kanë drejtuar një kombëtare të ndryshme nga ajo e tyrja në historinë e botërorëve.

Vetëm dy trajnerë të huaj kanë mundur të arrijnë në finalen e një botërori, por pa mundur ta fitojnë. Në vitin 1958 ishte anglezi Xhorxh Rejnor, që çoi Suedinë në finale, por u mund nga Brazili. Njëzet vjet më vonë ishte austriaku Ernst Hapel, që drejtoi Holandën në vitin 1978, kur ajo u mund në finale nga Argjentina. Ndaj, pyetja rrjedh vetvetiu: A do ta thyejë dot Ançeloti këtë mallkim? Do të duhet shumë kohë deri atje…