Karlo Ançeloti i ka dhënë të drejtë edhe publikisht sulmuesit Nejmar, i cili pak ditë më parë tha për mediat se vendimi i trajnerit për ta lënë jashtë grumbullimit të Brazilit, nuk kishte të bënte me dëmtimet siç kishte aluduar tekniku italian fillimisht.
Nejmar tha se vendimi kishte qenë teknik dhe sot, Ançeloti pranoi se zgjedhja kishte qenë e tillë për të vlerësuar lojtarë të tjerë.
“Ka të drejtë, është një zgjedhje teknike e bazuar mbi faktorë të ndryshëm. Askush nuk mund të vërë në diskutim talentin e Nejmar, por vlerësojmë sidomos gjendjen fizike, të tijën dhe të të tjerëve. Ka një konkurrencë të jashtëzakonshme, kemi të paktën 70 lojtarë që mund të kenë ambicie për ekipin kombëtar.
Unë e kam në mendje një grup të konsoliduar për Botërorin. Gabimi më i madh do të ishte që të gaboja listën me 25 emra. Cilësia është, por ka rëndësi sidomos forca e kolektivit. Janë 24 vite që Brazili nuk fiton Kupën e Botës. Erdhi momenti. Përgjegjësia është e madhe, por edhe motivimi i një shteti të tërë mund të bëjë diferencën”, tha ai.