Teuta sot në orën 17:00, me Dinamon. Sfida vlen për javën e 24-t të Superiores, me durrsakët që nuk kanë bërë mirë deri tani dhe synohet që pas 5 javësh të marrin një fitore. Në një prononcim për mediat, portieri i Teutës, Angelo Tafas, flet për sfidën me Dinamon dhe atmosferën në ekip. Ai shprehet se ndaj Dinamos ekipi do të marrë maksimumin, pavarësisht se do të jetë e vështirë.

Tafas, 5 javë të vështira për Teutën dhe ndaj Vllaznisë një ndeshje jo e mirë. Çfarë po ndodh me Teutën?

Ndeshjen e fundit me Vllazninë e kishim përgatitur për ta fituar, por nuk patëm fat. U ndëshkuam shumë shpejt me atë gol dhe kjo ndikoi psikologjikisht në ekip. Vllaznia, kur ka përballë ekipe që lënë hapësira prapa, është shumë e rrezikshme. Por ajo ndeshje ka kaluar tashmë, ne shohim përpara për ta kaluar këtë moment të vështirë.

Si e shikoni sfidën ndaj Dinamos, që do ta luani ditën e hënë?

Si çdo ndeshje të radhës. Kampionati ka treguar, sidomos javët e fundit, se nuk ka ndeshje të lehta dhe ekipet janë atyaty. Dinamo ka një ekip me eksperiencë, por mendoj se motivimi ynë është më i lartë në këtë moment. Në fund të fundit, çdo ndeshje është e barabartë me 3 pikë dhe ne këtë do të kërkojmë.

Ka diçka që i druheni përpara kësaj ndeshjeje, çfarë duhet të bëjë Teuta?

Jo, asgjë nuk më tremb, edhe pse pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal, sepse e dimë sa e rëndësishme është. Kam besim se do ta kalojmë më sukses, pasi kemi lojtarë me eksperiencë për të tilla sfida.

Cilën nga skuadrat e kampionatit shihni si rivalin më të fortë të Teutës?

Ne kemi rival vetëm Dinamon, skuadrën e ndeshjes së radhës. Do të fokusohemi vetëm te ndeshja e së hënës, pasi, po të shohim më tej, do të gabojmë. Me kalimin e javëve do të duken pastaj edhe rivalët tanë më të fortë. E thashë që në këtë kampionat nuk ka diferenca mes ekipeve.

Fakti që keni pësuar shumë gola, sa ju shqetëson?

Futbolli është edhe fat. Është e vërtetë që kemi pësuar shumë gola, në disa momente jemi ndëshkuar nga shpërqendrimi ynë. Kemi punuar shumë për ta rregulluar këtë defekt, që të mos penalizohemi në ndeshjet në vijim.