HomeFUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREArdhja e Bismark, ja si pritet të ndryshojë Vllaznia

Ardhja e Bismark, ja si pritet të ndryshojë Vllaznia

Nga Endri ÇINARI

Afrimi i Çarls Bismark në rradhët e Vllaznisë në momentet e fundit të merkatos ka kompletuar skuadrën kuqeblu. Sulmuesi ishte “qershia mbi tortë” e një vere që mund të konsiderohet shumë e “nxehtë” për shkodranët të cilët ndryshuan shumicën e formacionit titullar krahasuar me sezonin e shkuar. Kështu afrimet e Pohls, Hakajt, Gjinit, Kuros, Dros, Kallakut, Muratajt, Kastratit dhe së fundmi Bismark kanë ndryshuar shumë balancat në formacionin kuqeblu.

Kështu tashmë për trajnerin Martini me ardhjen e Bismark pritet të ketë ndryshime në vendosjen e skuadrës dhe atë të lojtarëve në fushën e lojës. Kjo pasi 24-vjeçari nga Gana konsiderohet si një futbollist i afruar në gjirin e 9 herë kampionëve të Shqipërisë për të qenë titullar. E po ashtu me Kastratin që po merr formën e tij më të mirë dalëngadalë, do shikohet një formacion që mund të prezantojë si titullarë 3 emra si: Balaj, Kastrati dhe Bismark.

Që do shfaqte në fushë një Vllazni me mentalitet shumë sulmues dhe që patjetër do e bazonte lojën më shumë në sulm se sa në prapavijë. Po ashtu “vend” në formacion duhet “gjetur” edhe për Kallakun, që po ashtu po merr formën e tij fizike. Me fushëkrujasin që ende nuk ka shfaqur potencialin e tij me fanellën kuqeblu pavarësisht se dha “shkëndijat” e para kundër Dinamos. Ku me driblimet dhe vertikalizimet e tij tregoi shumë nga klasi që mbart dhe tek i cili është i bindur edhe trajneri Martini.

Nga ana tjetër me afrimet e fundit dhe ardhjen në formë të të gjithë futbollistëve, trajneri shkodran mund të heqë dorë nga vendosja e skuadrës në skemën 3-5-2. Dhe Vllaznia mund të vendoset me skemën 4-3-3 apo 3-4-3 në të ardhmen, gjithmonë duke parë edhe formën e futbollistëve të afruar në merkato. Nga të cilët pritet shumë në Shkodër, por edhe në mbarë opinionin sportiv në gjithë vendin. Me tifozët shkodranë që presin një Vllazni sulmuese dhe që ofron një futboll cilësor në edicionin 2025-26 të Superiores.(www.shkodrasport.com)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments