Legjenda italiane e futbollit, Gennaro Gattuso, pritet të emërohet trajneri i ri i ekipit kombëtar italian, sipas raportimeve të Fabrizio Romano.Marrëveshja me Federatën Italiane është arritur dhe njoftimi zyrtar pritet së shpejti.

Gattuso do të zëvendësojë Luciano Spallettin, i cili u shkarkua pas humbjes 3-0 ndaj Norvegjisë në Oslo, një disfatë që tronditi tifozët italianë dhe drejtuesit e federatës.

Ish-mesfushori i Milanit e udhëhoqi sezonin e kaluar Hajdukun e Splitit drejt vendit të tretë në kampionatin kroat. Ai ka drejtuar më parë edhe klube si Milan, Valencia dhe Marseille.

Në aspektin e trofeve, suksesi i vetëm i Gattusos si trajner është Kupa e Italisë, të cilën e fitoi me Napolin në vitin 2020, megjithatë, ai njihet për karakterin e fortë dhe lidershipin në fushë dhe jashtë saj.

Shtabi i tij teknik do të përfshijë emra të njohur nga periudha e artë e Italisë: Leonardo Bonucci, Andrea Barzagli dhe Gianluca Zambrotta, ish-shokë të Gattusos në kombëtare.

Në një tjetër zhvillim, Cesare Prandelli është emëruar drejtor i ekipit kombëtar. Prandelli, 67 vjeç, e ka drejtuar Italinë edhe më parë, nga viti 2010 deri në 2014. /Telegrafi/