Nje nga emrat e njohur te futbollit shqiptar- Artan Bano ka folur sot per median e shkruar ne lidhje me “Final 4”, per finalen e se henes ne mes Vllaznise dhe Egnatias, por edhe per skemen aktuale te kampionatit. Ja si eshte shprehur ai:

“Finalen e shoh 50 me 50, duke pasur parasysh që nuk është më Egnatia e vitit të kaluar dhe nga ana tjetër Vllaznia është e etur, pasi u bënë mbi 20 vite që nuk del kampion. Përparësia e Egnatias mendoj se është stoli, pasi e ka me më tepër kualitet sesa Vllaznia. Sa i përket ndeshjes, do të jetë e hapur dhe nuk ka favoritë. Për mua, është më tepër edhe psikologjike, kush do ta ketë anën psikologjike më të fortë dhe kush do durojë më shumë, ai ekip do të triumfojë.

Absolutisht që Egnatia është nën presion. Për mua është një ndeshje që do ta zgjidhin episodet. Janë ato episodet e para që ndryshojnë shpejt avantazhin me disavantazhin. Ndryshon shumë shpejt situatën, mënyrën sesi duhet të rrish në fazën mbrojtëse, mënyrën sesi duhet të durosh.

Ndaj, nuk mund të parashikojmë dot, sepse nuk e dimë se si do të vijnë situatat. Finalet janë paksa edhe të çuditshme, sepse mund të ndëshkohesh me një 11-metërsh apo karton të kuq dhe merr tjetër rrjedhë loja nga ajo që kishe parashikuar.

Që në fillim, nuk kam qenë shumë dakord me këtë katërshen, sepse praktikishit i bie të dalësh dy herë kampion dhe luhen njëkohësisht shumë ndeshje me një skuadër në një sezon. Partizani me Egnatian brenda shtatë muajsh luajtën shtatë herë në ndeshje zyrtare, i bie një herë në muaj pak a shumë. Megjithatë, në qoftë se aktorët nuk janë seriozë dhe korrektë, formula do dështojë, sido që të jetë.

Mendoj se tani ka ardhur momenti që të shtohen edhe dy skuadra të tjera, duke pasur parasysh se edhe numri i të huajve do të jetë pa limit, këto talentet shqiptare ku do luajnë?! Thuhet shpesh i bën Duka këto, por janë vetë aktorët që i bëjnë, të bien dakord dhe t’i shtojnë dy ekipe të tjera, sepse është në të mirë të futbollit shqiptar. Ndoshta një sezon me tri faza, sepse në Kategorinë e Parë ishte interesante këtë vit. Të ketë edhe një shpërndarje gjeografike dhe më vjen mirë që Luftëtari u ngjit në të Parën dhe pse jo të mos pretendojë edhe aty”.