Krahasimet janë gjithmonë të padëshiruara, aq më tepër kur bëhet fjalë për një lojtar vetëm 17-vjeçar, me një karrierë të tërë përpara për t’u ndërtuar. Megjithatë, Lamine Yamal shkon përtej normales. Pas paraqitjes së tij spektakolare ndaj Interit, në ndeshjen e pare gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, emri i tij është në gojën e të gjithëve.

Lamine jo vetëm që shënoi një gol dhe goditi dy herë traversën, por gjithashtu tregoi shumë detaje cilësie, mori elozhe nga kundërshtarë, shokë skuadre dhe figura të mëdha të futbollit. E gjitha kjo, ditën kur zhvilloi ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Barcelonës, ende pa mbushur 18 vjeç.

Në moshën e tij, asnjë nga figurat e mëdha të historisë së futbollit, as aktuale dhe as të së kaluarës, me përjashtim të Pelé, nuk kishte arritur atë që tashmë ka realizuar Lamine Yamal.

Për shembull, Leo Messi, lojtari më i mirë në histori dhe ikona më e madhe e Barçës në 125 vitet e saj, në moshën 17-vjeçare kishte luajtur vetëm 9 ndeshje dhe kishte shënuar një gol, pa dhënë asnjë assist me ekipin e parë blaugrana. Cristiano Ronaldo, një tjetër pikë referimi e dy dekadave të fundit, gjithashtu nuk kishte spikatur veçanërisht. Portugezi kishte luajtur 19 ndeshje, kishte shënuar 5 gola dhe kishte dhënë 4 asiste.

Nëse kthehemi në vitet ’60, ’70 dhe ’80, kur spikasnin dy legjenda botërore si Johan Cruyff dhe Diego Armando Maradona, as holandezi dhe as argjentinasi nuk kishin arritur shifrat e Lamine Yamal në moshën 17-vjeçare. Cruyff kishte luajtur vetëm 10 ndeshje me Ajax-in, duke shënuar 4 gola dhe dhënë 2 asistime.

Nga ana tjetër, Diego Maradona është ai që iu afrohet më shumë statistikave të Yamal në 100 ndeshjet e tij të para me Barcelonën. “El Pibe”, me Argentinos Juniors, kishte zhvilluar 60 ndeshje, shënuar 21 gola dhe dhënë 15 asiste. Megjithatë, ndryshe nga Lamine, i cili tashmë ka fituar një Europian, një La Liga, një Kupë Mbreti dhe një Superkupë Spanjolle, Maradona në atë fazë të karrierës nuk kishte ende asnjë trofe në palmaresin e vet.

Ndërkohë, krahasimi me Edson Arantes do Nascimento, Pelé, është një tjetër nivel. Ylli brazilian është i vetmi nga legjendat e futbollit që e tejkalon Lamine Yamal në këtë moshë. 17 vjeç, Pelé jo vetëm që kishte fituar një Kupë Bote (Suedia 1958, teksa mbushte 18 vjeç më 30 tetor të atij viti), por në sezonin e tij të parë me Santos kishte luajtur “vetëm” 38 ndeshje, duke shënuar plot 41 gola, një shifër që tejkalon shumë 22 golat e Lamine në 100 ndeshjet e tij të para me Barçën.

Megjithatë, e ardhmja që e pret Lamine është e jashtëzakonshme dhe vetëm ai e di se deri ku mund të arrijë. Koha do ta vendosë në vendin që i takon, por për momentin, me paraqitjen ndaj Interit, i riu i krahut të djathtë tashmë ka shpallur kandidaturën për “Topin e Artë” të ardhshëm./telesport/