Vllaznia humbi ndaj Daugavpils me rezultatin e ngushtë 0-1, por të gjithë ata që e kanë parë këtë ndeshje janë të bindur se shkodranët nuk e meritonin kurrsesi këtë disfatë në këtë ndeshje të parë të vlefshme për turin e parë të UEFA Europa Conference League.
I këtij mendimi është edhe gazetari i njohur sportiv Ervin Baku i cili ka qenë i pranishëm në tribunën e medias të “Elbasan Arena” për ta ndjekur këtë takim. Sipas tij, golin në portën e Vllaznisë e shënoi “djalli”, e ndërkohë ai besoj se kuqeblutë mundet ta përmbysin këtë rezultat dhe të kualifikohen në ndeshjen e kthimit.
“Një Vllaznia që e dominoi krejt takimin, nga fillimi e deri në fund, por në fund u mund. I tillë është futbolli, sepse ai Daugavpils edhe sikur të luante një javë futboll nuk bënte dot gol. Një kros pa asnjëfarë pretendimi, shumë i lartë, sulmuesi e godet me kokë dhe “djalli” e çoi topin në rrjetë. Them “djalli” sepse vetëm ai mund ta shënonte një gol të tillë.
Mendoj se Vllaznia ishte konfuze, pati dhe shumë raste shënimi, por kam përshtypjen se me 2-3 lëvizje në lojën ajo mund dhe duhet ta fitojë ndeshjen e kthimit dhe të marrë kualifikimin në ndeshjen e kthimit.
Edi Martini vërtetë e filloi me humbje por gjërat mund të marrin rrjedhë tjetër në vazhdim. Unë e kam thënë edhe më parë se vërtetë në letër shorti mund të konsiderohet bujar, por mendoj se nuk ka kundërshtarë të lehtë. Për më tepër që kundërshtari i Vllaznisë është në mes të kampionatit, ndërsa skuadra shkodrane ka zhvilluar vetëm disa ndeshje miqësore, edhe ato me mungesa.
Po ashtu edhe në ndeshje pati probleme, Sala e Krymi kërkuar zëvendësim për shkak të dëmtimeve, Mala nuk ishte në formën e duhur për të dhënë kontributin e tij e këto patën ndikimin e vet. Kam përshtypjen se duke ardhur të gjithë në formën e duhur dhe po ashtu të jenë më të saktë para portës, jam i bindur se mund t’ia dalin të kualifikohen në Letoni”- është shprehur Baku.(www.shkodrasport.com)