Në Greqi prej shumë e shumë vitesh, por Vllazninë asnjëherë nuk e largon nga zemra dhe mendja. Lulzim Bërsheni, ish-mesfushori i talentuar i viteve 80-90 të skuadrës shkodrane, në një intervistë për “Panorama Sport” ka analizuar sezonin e kuqebluve.

Në veçanti ai u ndal te humbja e finales ndaj Egnatias, por edhe ndryshimet që kanë ndodhur së fundmi. Duke cilësuar uljen në stol të Martinit si zgjedhjen e duhur në klubin shkodran.

Bërsheni, si e analizoni këtë sezon të Vllaznisë?

Me uljet dhe ngritjet e tij, si çdo ekip tjetër i Superiores. Nuk kam parë futboll spektakolar këtë sezon, me aq mundësi sa kam pasur për të ndjekur. Edhe Vllaznia ka qenë në nivelin e zakonshëm të Superiores. Me ndoshta ndonjë marsh më shumë duke qenë se në fund ishte pjesë e “Final 4”. Por ky plus ishte vetëm nga rezultatet dhe jo loja dominuese apo e bukur që zhvilluan. Ishin cinikë dhe morën atë çfarë u duhej në ndeshje të caktuara.

Ishte kundërshtari më lart apo Vllaznia në një ditë “jo”?

Nuk mendoj se ishte një Egnatia aq e fortë siç ishte para një sezoni. Ishte një ekip që mund të mposhtej, por Vllaznia për mendimin tim e nisi ndeshjen me mentalitetin e gabuar. Duke tentuar vetëm me topat e gjatë dhe një qarkullim topi të avashët. Lëvizje që ishin shumë të parashikueshme dhe nxorrën totalisht jashtë loje manovrën e kuqebluve. Vllaznia nuk e kishte përgatitur siç duhet këtë duel nga ana taktike në opinionin tim.