Antony, ish-sulmues i Manchester United, nuk i ka mbajtur dot lotët gjatë prezantimit të tij si lojtar i ri i Real Betisit, klub ku tashmë ka firmosur në mënyrë përfundimtare pas një periudhe të vështirë në Angli.
Braziliani 25-vjeçar kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në huazim te Betisi, ku u rikthye në formë duke shënuar 9 gola në 26 ndeshje nën drejtimin e trajnerit Manuel Pellegrini. Performanca e tij e mirë dhe lidhja e fortë me klubin dhe tifozët bënë që transferimi të konkretizohej në ditën e fundit të merkatos.
Antony, i cili mbetet blerja e dytë më e shtrenjtë në historinë e United (95 milionë euro), pas Paul Pogba-së, nuk arriti të justifikonte pritshmëritë në “Old Trafford”, me vetëm 12 gola dhe 5 asiste në 96 paraqitje. Për këtë arsye, ai është cilësuar shpesh si një nga dështimet më të mëdha në historinë e klubit.
Gjatë konferencës për shtyp në Sevilje, Antony u emocionua teksa foli për përvojën e tij në Angli:
“Vetëm familja ime e di sa e vështirë ishte për mua. Stërvitje i ndarë nga skuadra, pasiguria, frika se mos transferimi nuk ndodhte… Por kisha besim dhe ja ku jam sot, i lumtur në një vend ku ndihem i dashur”.
Braziliani shtoi se jeta te Betisi është “një botë tjetër” krahasuar me atë që përjetoi te United:
“Sevilja është më e bukur se Manchesteri. Tifozët më pritën edhe në orën 2 të mëngjesit. Është e pabesueshme, nuk flija dot nga emocionet”.
Në fund, Antony theksoi se dashuria e tifozëve vlen më shumë se çdo kontratë e majme:
“Paratë nuk janë gjithçka. Pa përkrahjen e tifozëve, futbollistët humbin besimin. Për mua, Betisi ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë. Tani jam aty ku dua, në një klub dhe një qytet që i dua”.