Tomas Brdaric ka nisur kërkimin për një ekip të ri për të vazhduar karrierën e tij si trajner. I kthyer në Gjermani pasi Vllaznia vendosi të mos e vazhdonte kontratën me teknikun duke e larguar para pjesëmarrjes në  Ligën e Konferencës, ai ka dhënë një intervistë për mediat vendase, duke u shprehur i gatshëm të niste një aventurë të re.

“Gjatë karrierës time si trajner, futbolli sulmues ka qenë gjithmonë tipari im dallues. Unë jam më shumë për sulmin dhe marrjen përsipër të rrezikut. Por njëkohësisht, kam mësuar sa e rëndësishme është të ruash ekuilibrin dhe të mos e neglizhosh mbrojtjen.

Unë po pres me padurim për një projekt të ri me një ekip që ka objektiva dhe dëshirë të arrijë diçka. Nëse një klub me struktura profesioniste dhe me pikësynimin e duhur ka nevojë, unë jam gati të përfshihem dhe të çoj këtë projekt në nivelin tjetër.

Unë jam i aftë të zhvilloj lojtarë dhe të arrij objektivat e përbashkët. Kam parë dhe kam kaluar shumë eksperienca gjatë periudhës time jashtë. Jam rritur personalisht dhe e ndjej se jam gati të marr përsipër një projekt të ri në Gjermani”, ishte “reklama” që Brdariç i bëri vetes, duke lënë të kuptohet se tashmë kërkon një klub në Gjermani.