Carlo Ancelotti dha konferencën e zakonshme për shtyp përpara ndeshjes së La Liga-s ndaj Celta Vigo në “Bernabéu”, me start orën 14:00. Siç pritej, trajneri u pyet shumë për të ardhmen e tij, pas udhëtimit të kësaj jave në Londër për të negociuar me kombëtaren braziliane. Italiani nuk hyri në detaje, por bëri të qartë se nuk do të zbulojë asgjë para datës 25 maj dhe se kur të largohet nga klubi madrilen, do të ndodhë në mënyrë madhështore.
Për ndeshjen e radhës: “Celta Vigo është një skuadër shumë e mirë, e organizuar. E kemi përgatitur mirë këtë ndeshje, sepse kemi pasur një javë kohë dhe duam të qëndrojmë në garë për kampionatin”.
Nëse mund të sqarojë diçka për të ardhmen me Brazilin: “Mund ta sqaroj, e vërteta është se kam shumë dashuri për klubin tim, për lojtarët e mi dhe për tifozët. Për të ardhmen time nuk do të flas para datës 25 maj”.
Përqendrimi në fushë: “Ne mendojmë për të tashmen, mund të luftojmë deri në fund, deri në sekondën e fundit të kampionatit për titullin, çfarëdo që të ndodhë. Edhe pse kemi pasur shumë mungesa këtë javë, jemi të bindur që mund të fitojmë ndaj Celta Vigo”.
Nëse ndjen se po i vjen fundi në Madrid: “Unë mendoj vetëm për përgatitjen e çdo ndeshjeje, që na jep mundësinë të luftojmë edhe më shumë për këtë kampionat”.
Çfarë do të ndodhë pas përfundimit të sezonit: “Nuk duhet të përgjigjem tani për atë që mund të ndodhë më 25 maj”.
Nëse foli me Florentinon pas humbjes së Kupës së Mbretit: “Po, por nuk ka asgjë për ta kritikuar ekipin, dha gjithçka për ta fituar finalen e Sevilla”.
Nëse Vallejo mund të luajë: “Po, ka më shumë mundësi”.
Nëse është i mërzitur me shtypin: “Ndihem mirë. E kuptoj që doni të flisni për të ardhmen time, por nuk ka mungesë komunikimi mes meje dhe jush. E di saktësisht çfarë duhet të bëj, çfarë do të bëj dhe çfarë po bëj, të mos flas për të ardhmen time sot. E di që po ju zhgënjej, por nuk më intereson”.
Si e imagjinon lamtumirën e tij: “Nuk do ta tregoj. Nuk e di çfarë do të ndodhë, por çfarëdo që të ndodhë, do të jetë një lamtumirë fantastike. Nuk kam pasur kurrë një përplasje me klubin në këto 6 vite, nuk do të kem as ditën e fundit, që nuk e di kur do të jetë. Mund të jetë më 25 maj, më 2026, më 2030…”
Çfarë ka përmirësuar: “E kemi përmirësuar ndjeshëm aspektin mbrojtës, por kemi humbur pak efektivitetin në sulm për këtë arsye”.
Nëse emrat që përfliten për zëvendësues janë mungesë respekti ndaj tij: “Jo, aspak. Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me klubin. Ne nuk jemi prapa informacioneve dhe shumë prej tyre nuk janë të vërteta”.
Çfarë ka ndryshuar me Güler: “Ka bërë progres të madh, po fiton më shumë rol. Në të ardhmen do të ketë edhe më shumë rëndësi. Po tregon cilësi dhe fiton vazhdimësi në lojë. Mendoj se do të bëhet një mesfushor i shkëlqyer, jo vetëm një anësor. Për të ardhmen e Real Madridit do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse nuk ka shumë lojtarë të këtij profili në mesfushë”.
Nëse kjo ka qenë sezoni më i vështirë nga ana njerëzore: “Jo nga ana personale. Nga ana profesionale po, ka qenë më i vështirë se zakonisht. Vijmë nga një sezon pothuajse perfekt dhe kemi pasur shumë vështirësi. Sidoqoftë, kanë mbetur edhe 5 ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë. Ajo që nuk mund të ndodhë, është të dorëzohemi. Duhet t’i fitojmë këto 5 ndeshje dhe të japim gjithçka. Nëse i fitojmë, sezoni mund të ndryshojë dhe të bëhet shumë i mirë”./telesport/