Kur gjithçka dukej e mbyllur dhe pritej zyrtarizimi i marrëveshjes, e ardhmja e trajnerit Carlo Ancelotti ka marrë drejtim të papritur.

Prej ditësh përflitej se kishte një akord mes italianit dhe drejtuesve të Federatës Braziliane, për të marrë drejtimin e Brazilit. Megjithatë, 65-vjeçari në fund ka vendosur të refuzojë marrjen e drejtimit të kombëtares “Seleçaos”.

Në thelb ka dy arsye për këtë vendim. Real Madrid nuk dëshiron ta lërë të lirë përpara Kupës së Botës për Klube dhe italiani mund të niste të Brazili vetëm në Gusht. Drejtuesit e Federatës mbetën të habitur nga kjo, pasi kishin planifikuar Ancelottin në stol, për muajin Qershor.

Arsyeja tjetër ka të bëjë me një ofertë të çmendur nga Arabia Saudite. Italianit i kanë ofruar një rrogë prej 50 milionë Eurosh në sezon, duke e bërë atë trajnerin më të paguar në histori.

Kjo mund të ketë ndikuar në vendimin e Ancelottit, për të refuzuar Brazilin dhe mbetet të shihet se ku do të jetë e ardhmja e tij.