Cristiano Ronaldo nuk arriti të ngrejë trofeun e tij të parë me Al-Nassr, pasi skuadra saudite u mposht nga Al-Ahli në finalen e Superkupës së Arabisë 2025 me penallti (5-3). Portugezi shënoi nga pika e bardhë, por goli i tij nuk mjaftoi për të sjellë suksesin e shumëpritur. Ronaldo po kërkonte të mbyllte disavantazhin ndaj koleksionit të jashtëzakonshëm të trofeve të Lionel Messit.
‘Ylli’ argjentinas ka fituar 46 trofe, ndërsa Ronaldo numëron 35 tituj. Të dy janë lojtarët më të dekoruar në historinë e futbollit, duke e bërë rivalitetin e tyre një nga më të pasurit ndonjëherë.
Ronaldo fitoi trofeun e parë në vitin 2004 me Manchester United, kur ngriti FA Cup vetëm dy vite pas debutimit të tij me Sporting CP. Në “Old Trafford” ai shtoi edhe dy League Cup, tre tituj të Premier League dhe Champions-in e parë nga pesë gjithsej. Më pas shkëlqeu me Real Madridin, ku dominoi Europën me katër Champions të tjerë.
Nga ana tjetër, Messi ka ndërtuar një koleksion të jashtëzakonshëm me 46 trofe, mes Barcelonës, PSG-së, Inter Miamit dhe kombëtares së Argjentinës. Ai ka më shumë tituj kampionati (13 kundrejt 7 të Ronaldos), ndërsa Ronaldo kryeson me një Champions më shumë.
Arritja më madhështore e Messit mbetet Kupa e Botës 2022 me Argjentinën, krahas dy Copa America, një Finalissima dhe sukseseve në nivel të të rinjve (Botërori U20 2005 dhe Olimpiada 2008). Ronaldo ka triumfuar me Portugalinë në Euro 2016 dhe dy herë në UEFA Nations League.
Përtej trofeve, rivaliteti i tyre është i pashembullt: Messi ka 8 Topa të Artë kundrejt 5 të Ronaldos, ndërsa CR7 mban rekordin absolut të golave (939) e Messi atë të asistimeve (389). Në moshë të vonë, të dy vazhdojnë të shkruajnë histori në dy kontinente të ndryshme, duke mbetur rivaliteti më i madh në botën e sportit.