Në futbollin shqiptar çdo ditë e më shumë dëgjon çudira nga më të ndryshmet. E fundit është ajo e sotmja, kur u mësua se futbollisti Artan Jazxhi që ishte i huazuar tek Vllaznia për ndeshjet e Kupave të Europës, u pa në disa foto se ishte rikthyer tek Teuta dhe ndodhej me të në fazën përgatitore që është duke zhvilluar në Ohër.

Në pamje të parë të gjithë menduan se drejtuesit e Vllaznisë kishin vendosur ta linin të lirë ngaqë ai kaloi një dëmtimi dhe si rrjedhojë nuk luajti në dy ndeshjet e turit të parë ndaj Daugavpils. Por në fakt realiteti është krejt tjetër.

Gazeta “Shkodra Sport” ka kontaktuar me drejtuesit e klubit shkodran për të mësuar më shumë në lidhje me këtë çështje dhe përgjigja e tyre ka qenë vërtetë befasuese. Jazhxi është pritur dje në stërvitje me skuadrën pas kthimit të saj nga Letonia dhe kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por më pas kanë dalë edhe fotot se ai ishte në Ohër duke u stërvitur me Teutën.

Nga Klubi Vllaznia nuk ka patur asnjë leje apo dakordësi për ndërprerjen e kontratës para kohe, madje nuk kanë patur asnjë dijeni se lojtari i ishte bashkuar skuadrës durrsake në fazë përgatitore. Në këto rrethana, gazeta mëson se një nga drejtuesit e Vllaznisë ka kontaktuar me Jazxhi i cili është shprehur se është urdhëruar nga drejtuesit e Teutës për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje!!!

Urdhëri i dhënë duket krejtësisht absurd sepse sipas kontratës së huazimit të firmosur nga dy klubet dhe vetë lojtari më 14 qershor, Artan Jazxhi do të ishte pjesë e Vllaznisë deri më 20 gusht 2025. Mesa duket pronarët dhe drejtuesit e rinj të Teutës janë të rinj në futboll dhe nuk marrin vesh nga rregullat e tij. Ato mund të jenë ekspertë ndërtimi apo të ndonjë fushe tjetër, por për futboll do t’u duhet kohë të mësojnë.

Dhënia e një urdhëri për lojtarin padyshim që është një veprim i rëndë, por nga ana tjetër edhe prishja e një kontrate me një klub tjetër ka disa pasoja. Si rrjedhojë, mësojmë se drejtuesit e Vllaznisë kanë ndër mend ta çojnë këtë çështje fillimisht në FSHF dhe nëse është e nevojshme më pas, edhe në UEFA e FIFA.

Artan Jazxhi është në listën e federimit të kuqebluve dhe për ndeshjet e turit të dytë të “Conference League” dhe madje trajneri Martini shpresonte shumë që ai të rikuperohej dhe të ishte i gatshëm për të luajtur që të enjten e ardhshme ndaj Vikingur, por kjo nuk ka më shanse të ndodhë sepse lojtari është rikthyer tek durrsakët.

Drejtuesit e rinj të Teutës mesa duket e kanë marrë me yrysh këtë punë, por futbolli ka shumë të papritura dhe në të duhet të respektosh në rradhë të parë rregullat e lojës, duhet të respektosh klubet rivale dhe institucionet sepse nëse dëshiron të bësh “të fortin”, mund ta shohësh veten shumë shpejt jashtë loje.