Nga Endri ÇINARI
Vllaznia arriti të krijonte disa raste dhe sidomos në pjesën e parë në duelin me Daugavpils. Ku si protagonist dhe inciator i shumicës së sulmeve të shkodranëve ishte Kevin Dodaj. Me sulmuesin 19-vjeçar që u shfaq 3 herë rrezikshëm në 45 minutat e para të sfidës ndaj letonezëve, por pa arritur të shënonte. Me portierin dhe mbrojtjen e Daugavpils që diti t’i bënte ballë sulmeve të kuqebluve.
Por, pavarësisht se 9 herë kampionët e vendit krijuan shumë raste në pjesën më të madhe të lojës, finalizimi ishte ai që la për të dëshiruar për të besuarit e Martinit. Me Balajn që u mbyll shumë mirë nga mbrojtësit kundështarë dhe që u limitua në maksimum, ku për 34-vjeçarin u shënua vetëm një rast në 90 minuta të lojës. Ku ishte një goditje diagonale në një pozicion të prirët, që gjeti reagimin mjaft të mirë të portierit kundërshtar.
Dhe kur kapiteni duket se nuk është në ditën e tij edhe skuadra e ka shumë të vështirë gjetjen e golit. Një “sëmundje” e trashëguar që nga sezoni i shkuar për Vllazninë, që vuante shpesh në finalizim kur Balaj nuk gjente rrugën e rrjetës apo nuk shfaqte nivelin e tij të zakonshëm në fushën e lojës.
Patjetër tek kuqeblutë para ndeshjes së kthimit do ketë një analizë përsa i përket këtij “defekti” të skuadrës. Pasi nëse shkodranët kanë si qëllim të kalojnë në turin tjetër duhet medoemos të rregullojnë shenjëstrën dhe finalizimin e ekipit.(www.shkodrasport.com)