Në të parin sezon të tij si trajner, Ditmar Bicaj bëri suprizën duke e shndërruar ekipin e Burrelit në një nga më të mirët e kampionatit të kategorisë së parë, ndonëse buxheti dhe shumë gjëra të tjera nuk ishin në nivele konkurruese.

Falë punës shumë të mirë të tij, krijimit të një grupi lojtarësh shumë simpatik, arriti të renditet në vendin e katërt dhe po ashtu duke qenë shumë konkurrues edhe në ndeshjet play-off teksa e synoi deri në fund ngjitjen në Superiore.

Por duket se momentet e mira të Burrelit mund të ndalen këtu. Lajmet që vijnë nga kampi matjan, bëjnë të ditur se me shumë gjasa disa prej titullarëve të ekipit do të largohen dhe kjo do ta prishte grupin e krijuar me jo pak mundim.

Në këto rrethana, në media të ndryshme po flitet edhe për mundësinë e largimit të trajnerit Ditmar Bicaj nga drejtimi i kësaj skuadre. Ai ka kërkuar një projekt serioz, diçka e tillë nuk është përgjigjur nga drejtuesit të cilët kanë një qasje tjetër për sezonin e ri. Vetë Ditmar Bicaj ka kërkuar një klub me ambicie të larta.

Në këto rrethana, tekniku lezhjan me shumë mundësi do të kërkojë një eksperiencë të re, por gjithsesi duhet pritur edhe pak kohë, para se kryebashkiaku i Burrelit të japë përgjigjen e tij përfundimtare për financat që skuadra do të ketë në dispozicion për sezonin e ri.(www.shkodrasport.com)