Tek Flamurtari nuk flitet më shqip! Një fenomen që duket se shumë shpejt do të përfshijë të gjithë kampionatin shqiptar. Ky realitet po shihet me shqetësim nga njerëzit e futbollit.
Ndeshja mes Flamurtarit dhe Bylisit e tregoi qartë këtë situatë dhe, për fat të keq, duket se ka shënuar edhe fundin e një prej shkollave më të njohura të futbollit shqiptar, asaj vlonjate, që dikur ka prodhuar disa nga emrat më të mëdhenj në historinë e këtij sporti në vend.I këtij mendimi është edhe ish-futbollisti i Flamurtarit, Ditmar Bicaj, i cili fillimisht për “Panorama Sport” deklaroi:
“Po shikoja Flamurtarin me Bylisin dhe ishin 15 lojtarë të huaj në fushë. Njëri ishte me mjekër, tjetri me ngjyrë, tjetri pakistanez. Nuk e dija çfarë kampionati po ndiqja. Ishte një lloj lavatriçe, saqë të duhet kohë për ta kuptuar ku jemi”. Dueli mes dy skuadrave u luajt me një numër të jashtëzakonshëm lojtarësh të huaj, 15 në fushë dhe plot 14 të tjerë në pankinë, gati për të hyrë. Aktualisht, fanella e Flamurtarit mbahet veshur nga futbollistë që përfaqësojnë 12 kombe të ndryshme dhe flasin 8 gjuhë të ndryshme.
Stema e re, polemika e radhës Flamurtari ndryshoi gjithçka në nisje të këtij sezoni, përfshirë edhe stemën. Por jo të gjithë janë dakord. Ish-mbrojtësi Bicaj, i cili në sezonin e fundit ishte trajner i Burrelit dhe i surprizoi jo pak vlonjatët, shprehu hapur rezervat e tij. “Flamurtari i Vlorës ka tjetërsuar edhe stemën. Uniforma e re nuk lidhet me ngjyrat tradicionale të kuqezinjve”, përfundoi ish-mbrojtësi i Flamurtarit.