Vllaznia e ka nisur mbarë sezonin e ri duke mundur në ndeshjen e parë kampionen në fuqi të vendit- Egnatian me shifrat 2-0. Sipas trajnerit të futbollit Ditmar Bicaj, shkodranët e merituan plotësisht fitoren në këtë takim. Në një analizë të bërë prej tij, ish- mbrojtësi i njohur ka vlerësuar ndryshimet e bëra së fundi tek skuadra shkodrane, që nga pankina, përbërja e lojtarëve dhe mënyra e të luajturit, që e bëjnë atë pretendente të fortë për titullin kampion.
“Rezultoi ajo çfarë unë prisja para ndeshjes. Pashë një Vllazni që kishte më shumë dëshirë dhe që u fut për ta fituar ndeshjen që në momentet e para të saj. Egnatia u mundua të ndërtonte nga poshtë, por edhe taktikisht trajneri Martini e kishte zgjidhur shumë mirë.
Që kur luhej topi tek portieri i Egnatias dhe tek dy qendra e saj, futbollistët e Vllaznisë presonin shumë lart, sidomos tek Aleksi dhe do të thoja se skuadra shkodrane e meritoi totalisht fitoren dhe mbi të gjitha pashë shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” me një numër të madh tifozësh.
Me ardhjen e Martinit, shoh një Vllazni më ndryshe. Ajo tashmë është një skuadër që Lufton për çdo top, një skuadër që futet gjithmonë për ta fituar takimin. Ka ndryshuar modul sepse tashmë po luan me 3-5-2 ose 3-4-3, kanë bërë një punë të mirë në merkato duke ofruar lojtarë shumë cilësorë.
Unë mendoj se Vllaznia sëbashku me Dinamon dhe Egnatian do të jenë tre ekipet që do të shkojnë deri në fund në garën për titullin kampion”- është shprehur Bicaj në prononcimin e tij.(www.shkodrasport.com)