Nga Endri ÇINARI
Vllaznia do ketë misionin e vështirë për të përmbysur shifrat ditën e enjte kundër Daugavpils. Ku shkodranët udhëtojnë drejt Letonisë pas humbjes 0-1 në 90 minutat e para e për të arritur tek kualifikimi vlen vetëm fitorja dhe kjo jo vetëm minimale, por në shifra më të thella. Për 9 herë kampionët e vendit tonë lind detyra e vështirë për të arritur një sukses europian jashtë fushës së tyre.
Një sukses që në bazë të statistikave mungon prej 14 vitesh për kuqeblutë. Kjo pasi për herë të fundit shkodranët kanë marrë një fitore jashtë fushe në sezonin 2011-12, ku në kuadër të turit të parë të Europa League, në atë sezon triumfonin 0-1 ndaj Birkirkara të Maltës.
Më saktësisht ndeshja zhvillohej në datën 30.06.2011, dhe ishte dueli i vajtjes i turit të parë, me një fitore të kuqebluve që vendosej nga një gol i Xhevahir Sukajt që në minutën e dytë të ndeshjes.
Me Vllazninë që më pas do barazonte 0-0 në Shkodër dhe do kualifikohej në turin e dytë ku u eleminuan në mënyrë “dramatike” nga zvicerianët e Thun. Që nga ai moment për Vllazninë nuk ka ardhur asnjë fitore jashtë fushe në kompeticionet europiane.
Pra, plot 14 vite pa një sukses në Europë jashtë Shqipërie e për shkodranët kjo “tabu” duhet thyer të enjten. Gjithmonë nëse për ta vlen kualifikimi në turin tjetër dhe drejt këtij kualifikimi të dërgon vetëm fitorja me Daugavpils në transfertë.