Dy atletë të ekipit të Vllaznisë do të jenë pjesë e kombëtares shqiptare të të rinjve që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik që do të zhvillohet këto ditë në Rumani. Bëhet fjalë për Sidrit Koplikun dhe Elizeo Spatharin.

Garat e këtij Kampionati do të zhvillohen nesër në Alba Julia të Rumanisë dhe dy atletët shkodranë do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë eveniment të rëndësishëm duke tentuar të bëjnë paraqitje sa më të mira.

Kujtojmë që Sidrit Kopliku është kampion i Shqipërisë për të rinj dhe të rritur për vitin 2025 dhe do të konkurrojë në garën e 800 metrave në këtë Ballkaniadë, ndërkohë Elizeo Spathari do të marrë pjesë në garat e kërcimit së gjati dhe në trehapësh, disiplina këto në të cilat ai ka dalë kampion i Shqipërisë për të rinj gjatë këtij viti.

Ata shkojnë në Rumani me një formë të mirë sportive, kjo edhe falë punës sistematike që kanë bërë prej muajsh me trajnerët e tyre Albert Marashi dhe Bruno Rrotani dhe padyshim që do të synojnë të paraqiten sa më mirë dhe padyshim për të synuar edhe futjen në zonën e medaljeve.(www.shkodrasport.com)