Dy futbollistët e Vllaznisë Aron Jukaj dhe Kevin Dodaj janë thirrur sërish në kombëtaren U21. Ditën e sotme trajneri Alban Bushi ka publikuar listën e 24 lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet miqësore ndaj Hungarisë dhe Turqisë dhe dy lojtarët kuqeblu janë pjesë e saj.

Të dy ata kanë spikatur në sezonin e fundit me fanellën e Vllaznisë dhe prandaj e kanë merituar një ftesë të tillë dhe padyshim që do të tentojnë të bëjnë më të mirën edhe me kombëtaren Shpresa në këto dy ndeshjet e rradhës.

Por nga ana tjetër, pjesë e listës janë edhe disa futbollistë të tjerë shkodranë, si mbrojtësit Elton Fikaj, Gabriel Ramaj dhe Ervin Bashi si dhe sulmuesi Erald Maksuti.

Ndeshja e parë, Hungari U-21 – Shqipëri U-21, do të luhet më 5 qershor në “Széktó Stadium”, në orën 19:30. Ndërsa sfida e dytë, Turqi U-21 – Shqipëri U-21, do të zhvillohet më 8 qershor në “Ataturk Olympic Stadium”, në orën 19:00.

Këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit teknik për të vëzhguar nga afër formën e lojtarëve të grumbulluar dhe për të testuar alternativa të ndryshme në funksion të ndërtimit të një skuadre sa më konkurruese për Europianin U-21 2027.(www.shkodrasport.com)