Pas goditjes së fortë të dhënë nga hetimet mbi botën e errët të ultrasve, të njohura si dosja “Doppia Curva”, klubet e Milanit dhe Interit kanë vendosur të marrin masa të ashpra dhe shembullore për të pastruar ambientin rreth stadiumit “San Siro”.

Sipas “Corriere della Sera”, të dyja klubet kanë refuzuar në mënyrë kategorike kërkesat për rinovim abonimi të qindra tifozëve që konsiderohen “të papërshtatshëm”, në përputhje me kodet etike të firmosura nga drejtuesit e shoqërive.

Vendimi i Milanit dhe Interit është pjesë e një fushate më të gjerë që synon të çrrënjosë lidhjet mes tifozerive të organizuara dhe aktivitetit kriminal që, sipas prokurorisë së Milanos dhe hetimeve të drejtuara nga prokurori Paolo Storari, kishte depërtuar thellë në zemrën e ultrasve të Interit dhe ultrasve të Milanit.

Tifozët e përjashtuar janë individë të cilët kanë qenë më parë nën masën e “Daspos” (ndalim hyrjeje në stadium), të ndëshkuar për sjellje të dhunshme apo të lidhur drejtpërdrejt me hetimin që zbuloi edhe dy vrasje të lidhura me rrethin e ultrasve.

Përveç ndalimit të hyrjes në stadium për tifozët e papëlqyer, klubet kanë vendosur edhe ndalimin total të transferimit të abonimeve për sektorët e ndjeshëm në “Curva Sud” (Milan) dhe atë “Nord” (Inter).

Kjo do të thotë që biletat sezonale nuk do mund të kalojnë më në dorë të tretë, një praktikë që më parë përdorej për të mbajtur nën kontroll tribunat nga individë të lidhur me strukturat e organizuara.

Masat nuk përfundojnë këtu. Plani i ri i sigurisë për sezonin e ardhshëm në stadiumin “San Siro” parashikon përdorimin e teknologjisë së njohjes së fytyrës në pikat e kontrollit, për të identifikuar dhe bllokuar hyrjen e individëve problematikë.

Ky sistem, i miratuar së fundmi nga autoriteti për mbrojtjen e të dhënave personale, pritet të hyjë në fuqi që në fillim të sezonit të ri futbollistik.