Tefik Osmani është shumë pranë një rikthimi në klubin e Tiranës, duke marrë sërish rolin e drejtorit sportiv, një detyrë që e ka mbajtur edhe më parë për tre sezone.

Ish-mbrojtësi korçar, i cili kohët e fundit ka qenë pjesë e stafit drejtues të Vllaznisë, ka arritur marrëveshjen me bardheblutë, duke lënë pas çdo dilemë për të ardhmen. Akordi është arritur dhe njoftimi zyrtar pritet të bëhet në ditët në vijim.

Osmani kishte në tryezë oferta nga disa klube të Superligës (Flamurtari, Vora), por ka preferuar të rikthehet në kryeqytet pas një viti e gjysmë, duke zgjedhur projektin e KF Tiranës, klub me të cilin ruan një lidhje të veçantë si në aspektin profesional ashtu edhe personal.

Ky rikthim vjen në një moment kyç për klubin bardheblu, që po kërkon të rikthehet fuqishëm në garën për titull pas një sezoni ku mbijetoi vetëm në ndeshjen shtesë. Emërimi i Osmanit pritet të sjellë edhe trajnerin e ri në ekip, emër që do zgjidhet nga drejtori sportiv.