Emri i Davide Fratezit është rikthyer fuqishëm në qarkullimin e merkatos, këtë herë me Juventusin si të interesuarin kryesor për mesfushorin energjik të Interit. Lajmi ka marrë hov sidomos pas afrimit të Fransua Modestos në rolin e drejtorit teknik bardhezi.

Francezi është një admirues i kahershëm i Fratezit dhe ruan marrëdhënie shumë të mira me menaxherin e lojtarit, Beppe Riso, një detaj që ka bërë të rritet zëri rreth një tentative të mundshme nga ana e “Zonjës së Vjetër”. Megjithatë, Interi nuk është i gatshëm të dëgjojë oferta, të paktën jo për momentin. Kristian Kivu, i cili pritet të udhëheqë një faqe të re në pankinën zikaltër, e sheh Fratezin si pjesë qendrore të projektit të tij teknik.

Mesfushori italian është në listën e “të pashitshmëve”, përveç në rast se do të vinte një ofertë e “pakundërshtueshme”, një term që gjithsesi është bërë pjesë e fjalorit të përditshëm të merkatos moderne. Fratezi mbërriti në Milano në verën e vitit 2023 nga Sasuolo, për një shumë totale pranë 40 milionë eurove, por nuk ia doli të bëhej titullar fiks, i bllokuar nga treshja Barela-Çalhanoglu-Mkhitarian. Gjithsesi, kontributi i tij nuk mungoi, aktivizime si zëvendësues dhe disa gola të rëndësishëm, sidomos në sezonin e titullit të 20-të kampion të Interit.

Tani, me të ardhmen e Çalhanoglusë në diskutim dhe me Mkhitarian që në janar mbush 37 vjeç, Fratezi pritet të ketë rol më të rëndësishëm në formacionin e Kivusë, sidomos nëse tekniku rumun do të aplikojë një skemë si 3-4-2-1 ose 3-4-1-2, ku Fratezi do të kishte mundësinë të luante pas sulmuesve, një rol ku ka shkëlqyer më parë.