Elbasani kishte pësuar 6 gola në 11 ndeshje të luajtura në Abissnet Superiore dhe deri mbrëmjen e sotme ishte skuadra me mbrojtjen më të mirë në kampionat. Por skuadra verdheblu është shpërfytyruar në “Elbasan Arena”, pasi është mposhtur me rezultatin e thellë 5-0 nga Dinamo.

Skuadra e Ilir Dajës kalon në avantazh me Zabërgjan. Vendasit nuk arrijnë të reagojnë dhe pësojnë edhe dy gola të shpejtë. Meksi realizon golin e dytë, ndërsa Zabërgja trefishon shifrat.

Në pjesën e dytë skenën e rrëmben Bregu, që realizon dy gola të tjerë për skuadrën dinamovite. Elbasani kapitullon pa kushte, ndërsa skuadra kontestohet nga tifozeria e pranishme në stadium.

Me këtë sukses Dinamo ngjitet në vendin e tretë në renditje në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Elbasani mbetet në kuotën e 16 pikëve. Skuadra e Bordin është futur në një krizë rezultatesh, pasi fitorja në kampionat mungon prej 5 javësh.