Për sulmuesin 19 vjeçar Kevin Dodaj po flitet shumë ditët e fundit dhe madje bëhet fakt i kryer edhe largimi i tij nga Vllaznia drejt kampionatit hungarez të futbollit. Ofertën e njërës prej skuadrave të këtij kampionati, pikerisht të FC Gyor e ka pranuar edhe vetë presidenti Alban Xhaferi në një prononcim të dhënë për mediat.
Sipas tij, interesim është konkret megjithatë për Kupat e Europës duket e sigurtë që Dodaj do të jetë pjesë e Vllaznisë, ndërsa më pas mund të pritet çdo gjë.
“Ka shumë oferta në lidhje me Dodajn. Kemi ofertë zyrtare nga një klub hungarez, por Dodaj do luajë në Europë me Vllazninë. Dhe shpresojmë të shkëlqejë, kemi besim, siç ka shkëlqyer në kampionat.
Dhe sigurisht që në momentin kur të jetë më e mira për lojtarin, klubin dhe të gjithë, edhe Kevini do transferohet sepse do jetë edhe sukses për të ardhmen dhe karrierën e tij”, u shpreh Xhaferi.